Radio Tirana – Emisioni Larg dhe Afër – Gjekë Marinaj, poezi | On/Off |
Rreth Gjekë Marinaj
Gjekë Marinaj ka kaluar kufij gjithë jetën e tij. Si avokat i lirisë së fjalës, ai shkeli përtej caqeve të vëna nga ish regjimi komunist në Shqipëri. Si poet disident, ai përshkoi disa kufij gjeografik midis kombeve, duke kaluar nga Shqipëria në Mal të Zi, pastaj në Serbi, e më vonë në Amerikë. Atëherë do të ishte e pritshme që Marinaj, si autor dhe përkthyes, të kalonte edhe kufijtë linguistik, duke e vënë veten në rolin e një përçuesi gjuhësor, letrar dhe kulturor midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe botës Shqiptare.
Lindur në Brrut të Malësisë së Madhe në vitin 1965, mu në mes të jetëgjatësisë së pushtetit të Enver Hoxhës, Marinaj e mësoi që herët natyrën e jetës në një regjim totalitar. Shumica e njerëzve vuanin për të mbijetuar, kur vetëm një grusht i privilegjuar njerëzish jetonin një luks relativ. Ata duhej të bindeshin, pavarësisht vuajtjeve që detyroheshin t’u nënshtrohen. Njerëzit e kishin të ndaluar të rënkoheshin dhe detyrim të duartrokisnin tiraninë absolute të Enver Hoxhës dhe Partisë së tij. Konsekuencat e veprimeve të kundërta ishin të tmerrshme. Perspektivat e familjes për breza të tërë mund të shkatërroheshin nga një hap i gabuar. Humbja e konsideratës nga regjimi mund të rezultonte në arsim minimal, punë krahu dhe përbuzje sociale. Armiqësimi me sistemin paguhej me dekada internim, burgim, ose asgjësim fizik.
Kundër këtij sfondi shtypës, Marinaj hodhi hapat e para drejt gazetarisë. Ai botoi në disa organe mediatike, në fillim në gazetën lokale “Jeta e re” në Shkodër, pastaj për disa gazeta kombëtare, si “Zëri i Rinisë”, “Luftëtari” dhe “Vullnetari”. Por megjithëse fuqia e regjimit komunist filloi të zbehej pas vdekjes së Enver Hoxhës në 1985, pushteti vazhdoi të mbante një grusht të hekurt mbi shtypin. Marinaj nuk e duroi dot më zgjedhjen dhe trajtimin e problemeve në shkrimet e tij, sipas kornizave dhe standardeve të ideologjisë së censorëve.
Akoma duke përjetuar rolin e tij si një korrespodent i paguar me honorarë minimal, Marinaj i ktheu energjitë e tij në poezi. Ai e pohon se poezitë e tij të para, shkruar në adoleshence, ishin poezi ekspresioniste të strukturuara mirë, por jo konglomerat esencial i dashurive, gëzimeve dhe hidhërimeve të tij. Me rritjen e ndërgjegjësimit të tij politik dhe kuptimin më të drejtë të padrejtësisë fundamentale në zemër të shtetit shqiptar si dhe të frikës së përhapur që jetonte populli i tij, poezia e Marinajt filloi shpërthimin.
Ngaqë ishte plotësisht i ndërgjegjshëm për rrezikun që mund të sillte publikimi i tyre, poezitë më kontradiktore i mbajti kryesisht për vete. Por në vitin 1990, Marinaj ia besoi një cikël të vogël poezish Ndoc Gjetjes, Rudolf Markut, Nasi Lerës, Bardhyl Londos, Skender Buçpapajt etj. Marku dhe Buçpapaj ishin redaktorë dhe Londo Kryeredaktor të gazetës Drita (organ i lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë). Poezia “Kuajt” – njëzetenjë vargje revolte autoriale kundra pushtetit – ishte pjesë e atij cikli. Marinaj përdori kuajt si metaforë për popullin shqiptar, që jetonte i heshtur dhe i izoluar, i abuzuar dhe i fyer, i varfër ekonomikisht dhe i poshtëruar nga grabitja e vullnetit të lirë.
Poezia “Kuajt” u botua në gazetën Drita, më 19 gusht të vitit 1990. Reagimi që i menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës. Shqiptarët mbetën të habitur për “rrëshqitjen” e saj në faqet e Dritës, gazetës më të rëndësishme letrare të vendit. Por poezia ‘Kuajt” shpaloste diëka më të thellë. Ajo trazoi blozën e zezë në arteriet e popullit, atë që ishte akumuluar nga pakënaqësia dhe zemërimi gjysmëshekullor ndaj regjimit komunizmit, sië kishte ndodhur edhe me popujt e tjerë të Evropës Lindore. Gazeta Drita thuhet të jetë shitur në të gjithë vendin brenda disa orëve. Njerëzit e kopjuan poezinë nëpër copa letrash dhe ia shpërndanin fshehtas njëri-tjetrit kudo që ndodheshin. Muaj më vonë, gjatë demonstratave anti-qeveritare, protestuesit e recituan nëpër rrugë poezinë “Kuajt”, nëpërmjet megafonave.
Çekani i pashmangshëm ra pas pak. Një ditë, gjatë drekës, një operativ i policisë sekrete e urdhëroi Marinajn të paraqitej të nesërmen në mëngjes në degën e punëve të brendshme të Shkodrës.
Marinaj nuk e mësoi kurrë se cili do të ishte dënimi i tij. Ai u largua në mënyrë arrative nga atdheu, që atë natë. Koha nuk mjaftoi t’u thoshte lamtumirë familjes dhe miqve. Pas përshkimit më këmbë të disa maleve gjatë natës, me një çantë me libra mbi shpinë, ai u gjend në Mal të Zi, në periferi të Podgoricës, të nesërmen në mëngjes, më 12 shtator, 1990. Pas dy javësh izolim në ambientet policore të Podgoricës, Marinaj u transferua në Serbi. Aty kaloi disa muaj në një kamp refugjatësh në Padinska Skela. Më vonë u vendos po afër Beogradit, në Hotel Avala, një pikë turistike e konvertuar në një kamp refugjatësh nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Gjatë kohës së qëndrimit në Avala, Marinaj u takua me Ambasadorin Amerikan në ish Jugosllavi, Uarën Zimermën (Warren Zimmerman), të cilit, sipas procedurave të përgjithshme, i kërkoi hyrje dhe qëndrim të përhershëm në Amerikë. Pasi i tregoi atij një kopje të gazetës Drita ku ishte e botuar poezia Kuajt, si evidencë e qëndrimit anti-komunist, Zimermën i shtrëngoi dorën dhe i ofroi mirëseardhjen në Amerikë.
Marinaj mbërriti në San Diego në qershor të vitit 1991 me pak para në xhep dhe pa ditur asnjë fjalë anglisht. Brenda gjashtë muajve u shpërngul nga Kalifornia në Riçërdson (Richardson) të Teksasit.
Marinaj që atëherë iu dha me shumë dëshirë edukimit shkollor. Në vitin 2001 mbaroi Fakultetin e Shkencave të Përgjithshme (Associate in Science) në Brookhaven College. Katër vjet më vonë, përfundoi Shkollën e Arteve dhe Humanizmit (Bachelor of Arts in Literary Studies: Magna Cum Laude) në Universitetin e Teksasit në Dallas. Shkollën e Arteve dhe Humanizmit (Master of Arts in Humanities-Studies in Literature) e mbaroi në vitin 2008 në UT Dallas. Në vitin 2012 mbaroi PhD-në (Doktor i Filozofisë), pranë Universitetin e Teksasit në Dallas. Paralelisht me doktoraturën përfundoi edhe programin e certifikimit në Studimet e Holokaustit në Ackerman Center for Holocaust Studies.
Marinaj ka botuar disa libra me poezi, prozë dhe kritikë letrare. Deri tani ka përkthyer pesë libra nga shqipja në anglisht dhe nga anglishtja në shqip, duke përfshirë këtu edhe një antologji me poezi epike të eposit të veriut në Anglisht (me Frederick Turner) dhe ka redaktuar disa libra në të dy gjuhët. Në vitin 2001, me mbështetjen e shume miqve dhe shokëve, Marinaj themeloi zyrtarisht Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane.
Marinaj është ndjerë shumë i nderuar nga akordimi i disa çmimeve letrare brenda dhe jashtë Shqipërisë. Më 30 janar, 2012, ai u nderua nga Kompania Mediatike Nacional me çmimin Albanian BookerMan (megjithëse ky është çmimi që Marinaj vlerëson personalisht më shumë nga të gjitha çmimet që ka marre deri më sot, ky çmim nuk duhet ngatërruar me çmimin e madh “The Man Booker Prize” që ka fituar Kadare, jo vetëm se nuk ka të bëjë fare me njëri-tjetrin, por edhe sepse nga rëndësia dhe njohja publike janë absolutisht të pakrahasueshëm). QNK (Qendra Ndërkombëtare e Kulturës) i dha çmimin Pjetër Arbnori në Letërsi në vitin 2008. Çmimin e Parë në poezi, akorduar nga revista letrare amerikane Sojourn, e pranoi në vitin 2006. Ndërsa në vitin 2003, Marinaj është nderuar me çmimin Pena e Artë nga SHSHSHA.
Marinaj vazhdon të shkruajë poezi, prozë dhe ese akademike në anglisht, por vëmendje të madhe kohe dhe studimi i ka përkushtuar edhe artit të përkthimit. Ai e sheh si një shërbim më të madh ndaj njerëzimit të përkthejnë ndonjë kryevepër të panjohur sa e si duhet, se sa të botojnë vetëm nga krijimtaria e vet.
Marinaj dhe gruaja e tij Dusita, jetojnë në Riçërdson të Teksasit që nga viti 1992.
Dr. Marinaj, i cili jep mësim lëndë të ndryshme në Richland College që nga viti 2001, beson se nuk ka racë, gjuhë, apo fë inferiore në botë. Sipas tij, “emancipimi njerëzor ecën paralelisht me mundësitë që i krijohen njerëzimit për ta avancuar atë”.
Select your language:
– Albanian
– Azerbaijani
– Bosnian
– Chinese
– French
– German
– Greek
– Indian
– Italian
– Korean
– Macedonian
– Montenegrin
– Polish
– Romanian
– Russian
– Serbian
– Spanish
– Uzbek
– Vietnamese